Meta ndërton teknologji dhe shërbime që u japin mundësi njerëzve të lidhen me njëri-tjetrin, të ndërtojnë komunitete dhe të zhvillojnë biznese. Këto Kushte të shërbimit ("Kushtet") kontrollojnë aksesin dhe përdorimin prej jush të Facebook, Messenger dhe të produkteve, sajteve të uebit, veçorive, aplikacioneve, shërbimeve, teknologjive dhe softuerëve të tjerë që ofrojmë (Produktet e Meta ose Produktet), përveçse kur deklarojmë qartë se do të zbatohen kushte të veçanta (dhe jo këto). (Për shembull, përdorimi i Instagram nga ju është objekt i Kushteve të përdorimit të Instagram.) Këto Produkte ju ofrohen nga Meta Platforms, Inc. Prandaj, këto Kushte përbëjnë një marrëveshje midis jush dhe Meta Platforms, Inc. Nëse nuk bini dakord me këto Kushte, atëherë mos aksesoni ose mos përdorni Facebook ose produktet dhe shërbimet e tjera të mbuluara nga këto Kushte.
Këto Kushte (të njohura më parë si Deklarata e të drejtave dhe përgjegjësive) përbëjnë marrëveshjen e plotë midis jush dhe Meta Platforms, Inc. lidhur me përdorimin e Produkteve tona prej jush. Ato zëvendësojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme.
Ne nuk ju tarifojmë për përdorimin e Facebook ose të produkteve dhe shërbimeve të tjera që mbulohen nga këto Kushte, përveçse nëse deklarojmë ndryshe. Përkundrazi, bizneset dhe organizatat, si dhe persona të tjerë na paguajnë që t’ju shfaqim reklama për produktet dhe shërbimet e tyre. Duke përdorur Produktet tona, ju jeni dakord që të mund t’ju shfaqim reklamat që mendojmë se mund të jenë të përshtatshme për ju dhe për interesat tuaja. Ne i përdorim të dhënat tuaja personale për të na ndihmuar që të përcaktojmë se cilat reklama të personalizuara t’ju shfaqim.
Ne nuk ua shesim reklamuesve të dhënat tuaja personale dhe nuk i ndajmë me ta informacionet që ju identifikojnë drejtpërdrejt (të tilla si emri juaj, adresa e emailit ose informacione të tjera të kontaktit), përveçse nëse na jepni leje specifike. Përkundrazi, reklamuesit mund të na tregojnë gjëra të tilla si lloji i audiencës që dëshirojnë të shikojë reklamat e tyre dhe ne ua shfaqim ato reklama personave që mund të jenë të interesuar. Ne u japim reklamuesve raporte rreth performancës së reklamave të tyre që i ndihmojnë ata të kuptojnë se si po ndërveprojnë njerëzit me përmbajtjen e tyre. Shikoni seksionin 2 më poshtë për të mësuar më shumë se si funksionon reklamimi i personalizuar sipas këtyre kushteve në Produktet e Meta.
Politika jonë e privatësisë shpjegon se si i mbledhim dhe i përdorim të dhënat tuaja personale për të përcaktuar disa prej reklamave që shikoni dhe për të ofruar të gjitha shërbimet e tjera të përshkruara më poshtë. Ju mund të shkoni gjithashtu në çdo moment te faqet e parametrave tuaj të Produktit përkatës të Meta për të rishikuar zgjedhjet e privatësisë që keni rreth mënyrës se si i përdorim të dhënat tuaja.
Misioni ynë është t’u japim njerëzve mundësinë të krijojnë një komunitet dhe ta bashkojnë edhe më shumë botën. Për të ndihmuar që ta çojmë përpara këtë mision, ne ofrojmë Produktet dhe shërbimet që ju përshkruajmë më poshtë:
1.1 Ju ofrojmë një eksperiencë të personalizuar:
Eksperienca juaj në Facebook nuk ngjan me atë të dikujt tjetër: nga postimet, historitë, ngjarjet, reklamat dhe përmbajtjet e tjera që shikoni në Furnizimin e Facebook ose në platformën tonë të videove e deri te Faqet e Facebook që ndiqni dhe veçoritë e tjera që mund të përdorni, të tilla si Facebook Marketplace dhe kërkimi. Për shembull, ne i përdorim të dhënat për lidhjet që bëni, zgjedhjet dhe parametrat që zgjidhni dhe gjërat që ndani dhe bëni brenda dhe jashtë Produkteve tona për të personalizuar eksperiencën tuaj.
1.2 Ju lidhim me personat dhe organizatat që ju interesojnë:
Ne ju ndihmojmë të gjeni dhe të lidheni me personat, grupet, bizneset, organizatat dhe të tjerët që kanë rëndësi për ju nëpër Produktet e Meta që përdorni. Ne i përdorim të dhënat për të bërë sugjerime për ju dhe të tjerët - për shembull, grupet ku të bashkoheni, ngjarjet ku të merrni pjesë, Faqet e Facebook që t’i ndiqni ose t’u dërgoni një mesazh, shfaqjet që të shihni dhe personat me të cilët mund të dëshironi të bëheni shokë. Lidhjet më të forta ndërtojnë komunitete më të mira dhe ne besojmë se shërbimet tona janë më të dobishme kur njerëzit lidhen me persona, grupe dhe organizata që u interesojnë.
1.3 Ju japim mundësi të shpreheni dhe të komunikoni për gjërat e rëndësishme për ju:
Ka shumë mënyra për t’u shprehur në Facebook dhe për të komunikuar me shokët, familjen dhe të tjerët për gjërat e rëndësishme për ju - për shembull, duke ndarë përditësime të statusit, fotografi, video dhe histori nëpër Produktet e Meta (në përputhje me parametrat tuaj), duke dërguar mesazhe ose duke telefonuar me zë ose me video një shok ose disa persona, duke krijuar ngjarje ose grupe ose duke shtuar përmbajtje në profilin tuaj, si dhe duke ju shfaqur statistika se si angazhohen personat e tjerë me përmbajtjen tuaj. Ne gjithashtu kemi zhvilluar dhe vazhdojmë të eksplorojmë, mënyra të reja me të cilat njerëzit mund të përdorin teknologjinë, të tilla si realiteti i përmirësuar dhe video 360 për të krijuar dhe ndarë përmbajtje më shprehëse dhe tërheqëse në Produktet e Meta.
1.4 Ju ndihmojmë të zbuloni përmbajtje, produkte dhe shërbime që mund t’ju interesojnë:
Ne ju shfaqim reklama të personalizuara, oferta dhe përmbajtje të tjera të sponsorizuara ose komerciale për t’ju ndihmuar që të zbuloni përmbajtjet, produktet dhe shërbimet që ofrohen nga shumë biznese dhe organizata që përdorin Facebook dhe Produktet e tjera të Meta. Seksioni 2 më poshtë e shpjegon këtë me më shumë detaje.
1.5 Promovojmë mbrojtjen, sigurinë dhe integritetin e shërbimeve tona, luftojmë sjelljen e dëmshme dhe e mbajmë të sigurt komunitetin tonë të përdoruesve:
Njerëzit do të ndërtojnë një komunitet në Produktet e Meta vetëm nëse ndihen të mbrojtur dhe të sigurt. Ne punojmë shumë për të ruajtur sigurinë (duke përfshirë disponueshmërinë, origjinalitetin, integritetin dhe konfidencialitetin) e Produkteve dhe shërbimeve tona. Ne punësojmë ekipe të posaçme anembanë botës, punojmë me ofrues të jashtëm shërbimesh, partnerë dhe entitete të tjera të ngjashme, dhe zhvillojmë sisteme të përparuara teknike për të zbuluar keqpërdorimin e mundshëm të Produkteve tona, sjelljen e dëmshme ndaj të tjerëve dhe situatat ku mund të jemi të aftë të ndihmojmë në lidhje me mbështetjen ose mbrojtjen e komunitetit tonë, duke përfshirë për t’iu përgjigjur raportimeve të përdoruesve për përmbajtjet që mund të jenë shkelëse. Nëse mësojmë për një përmbajtje ose sjellje të tillë, mund të marrim masat e duhura në bazë të vlerësimit tonë, të cilat mund të përfshijnë njoftimin tuaj, dhënien e ndihmës, heqjen e përmbajtjes, heqjen ose kufizimin e aksesit në veçori të caktuara, çaktivizimin e një llogarie ose kontaktimin e autoriteteve të zbatimit të ligjit. Ne i ndajmë të dhënat me të gjitha Kompanitë Meta kur zbulojmë keqpërdorimin ose sjelljen e dëmshme nga dikush që përdor një prej Produkteve tona ose për të ndihmuar që të mbajmë të sigurt Produktet e Meta, përdoruesit dhe komunitetin. Për shembull, ne ndajmë informacione me Kompanitë Meta që ofrojnë produkte dhe shërbime financiare për t’i ndihmuar ato që të promovojnë mbrojtjen, sigurinë dhe integritetin dhe që të respektojnë ligjin në fuqi. Meta mund të ketë akses, të ruajë, të përdorë dhe të ndajë çdo informacion që mbledh rreth jush kur mendon në mirëbesim se kjo kërkohet ose lejohet nga ligji. Për më shumë informacione, rishikoni Politikën tonë të privatësisë.
Në disa raste, Bordi i Mbikëqyrjes mund të rishikojë vendimet tona që janë objekt i kushteve dhe akteve nënligjore të tij. Mësoni më shumë këtu.
1.6 Përdorim dhe zhvillojmë teknologji të përparuara për të ofruar shërbime të sigurta dhe funksionale për të gjithë:
Ne përdorim dhe zhvillojmë teknologji të përparuara - të tilla si inteligjenca artificiale, sistemet e mësimit automatik dhe realiteti i përmirësuar - në mënyrë që njerëzit të mund t’i përdorin Produktet tona me siguri, pavarësisht nga aftësia fizike apo vendndodhja gjeografike. Për shembull, një teknologji e tillë i ndihmon personat që kanë çrregullime të shikimit të kuptojnë se çfarë ose kush është në fotografitë ose videot e ndara në Facebook ose Instagram. Ne ndërtojmë gjithashtu një teknologji të sofistikuar për rrjetin dhe komunikimin për të ndihmuar më shumë persona që të lidhen në internet në zonat me akses të kufizuar. Dhe ne zhvillojmë sisteme të automatizuara për të përmirësuar aftësinë tonë për të zbuluar dhe hequr aktivitetet abuzive dhe të rrezikshme që mund të dëmtojnë komunitetin tonë dhe integritetin e Produkteve tona.
1.7 Kërkojmë mënyra për t’i bërë më të mira shërbimet tona:
Ne angazhohemi në kërkime për të zhvilluar, testuar dhe përmirësuar Produktet tona. Këtu përfshihet analizimi i të dhënave që kemi rreth përdoruesve tanë dhe kuptimi se si i përdorin njerëzit Produktet tona, për shembull duke kryer anketa dhe testime dhe duke zgjidhur problemet e veçorive të reja. Politika jonë e privatësisë shpjegon se si i përdorim të dhënat për ta mbështetur këtë studim me qëllim zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve tona.
1.8 Ofrojmë eksperienca të vazhdueshme dhe të pandërprera nëpër Produktet e kompanisë Meta:
Produktet tona ju ndihmojnë të gjeni dhe të lidheni me personat, grupet, bizneset, organizatat dhe të tjerët që kanë rëndësi për ju. Ne i projektojmë sistemet tona në mënyrë të tillë që eksperienca juaj të jetë e qëndrueshme dhe pa ndërprerje nëpër Produktet e ndryshme të kompanisë Meta që përdorni. Për shembull, ne i përdorim të dhënat rreth personave me të cilët angazhoheni në Facebook për t’jua bërë më të lehtë lidhjen me ta në Instagram ose Messenger dhe ju japim mundësinë të komunikoni nëpërmjet Messenger me një biznes që ndiqni në Facebook.
1.9 Sigurimi i aksesit në shërbimet tona:
Për të operuar shërbimet tona globale dhe për t’ju dhënë mundësinë të lidheni me njerëzit në mbarë botën, ne duhet të transferojmë, të ruajmë dhe të shpërndajmë përmbajtjen dhe të dhënat në qendrat e të dhënave, partnerët, ofruesit e shërbimeve, shitësit dhe sistemet tona në mbarë botën, duke përfshirë jashtë shtetit ku banoni. Përdorimi i kësaj infrastrukture globale është i nevojshëm dhe thelbësor për të ofruar shërbimet tona. Kjo infrastrukturë mund të jetë në pronësi, të operohet ose të kontrollohet nga Meta Platforms, Inc., Meta Platforms Ireland Limited ose kompanitë e lidhura me to.
2. Si financohen shërbimet tona
Në vend të pagesës për të përdorur Facebook dhe produktet dhe shërbimet e tjera që ofrojmë, duke përdorur Produktet e Meta të mbuluara nga këto Kushte, ju bini dakord që ne të mund t’ju shfaqim reklama të personalizuara dhe përmbajtje të tjera komerciale dhe të sponsorizuara për të cilat paguhemi nga bizneset dhe organizatat për promovim brenda dhe jashtë Produkteve të kompanisë Meta. Ne i përdorim të dhënat tuaja personale, të tilla si informacionet rreth aktivitetit dhe interesave tuaja, për t’ju shfaqur reklama të personalizuara dhe përmbajtje të sponsorizuara që mund të jenë më të përshtatshme për ju.
Sistemi ynë i reklamave të personalizuara është projektuar duke pasur në qendër të vëmendjes mbrojtjen e privatësisë së njerëzve. Kjo do të thotë që mund t’ju shfaqim reklama të përshtatshme dhe të dobishme pa u treguar reklamuesve se kush jeni. Ne nuk i shesim të dhënat tuaja personale. Ne i lejojmë reklamuesit të na tregojnë gjëra të tilla si objektivi i biznesit të tyre dhe lloji i audiencës që ata dëshirojnë të shikojë reklamat e tyre (për shembull, personat midis moshës 18-35 vjeç që pëlqejnë çiklizmin). Atëherë, ne ua tregojmë reklamën e tyre personave që mendojmë se mund të jenë të interesuar.
Ne u japim gjithashtu reklamuesve raporte rreth rendimentit të reklamave të tyre për t’i ndihmuar që të kuptojnë se si po ndërveprojnë njerëzit me përmbajtjen e tyre brenda dhe jashtë Produkteve të Meta. Për shembull, ne u japim reklamuesve informacione të përgjithshme për demografinë dhe interesat për t’i ndihmuar që ta kuptojnë më mirë audiencën e tyre, si p.sh. faktin që gra të moshës 25 deri në 34 vjeç, të cilat jetojnë në Madrid dhe pëlqejnë inxhinierinë softuerike, kanë parë një reklamë. Ne nuk i ndajmë informacionet që ju identifikojnë drejtpërdrejt (informacione të tilla si emri ose adresa juaj e emailit që vetvetiu mund të përdoren për t’ju kontaktuar ose që ju identifikojnë se kush jeni), përveçse nëse na jepni leje specifike. Mësoni më shumë këtu se si funksionojnë reklamat e Meta.
Ne i mbledhim dhe i përdorim të dhënat tuaja personale, në mënyrë që të ofrojmë shërbimet që ju përshkruam më lart. Mund të mësoni se si i mbledhim dhe i përdorim të dhënat tuaja në Politikën tonë të privatësisë. Ju keni kontroll mbi llojet e reklamave dhe reklamuesve që shikoni dhe llojet e informacionit që përdorim për të përcaktuar se cilat reklama ju shfaqim. Mësoni më shumë.
3. Angazhimet tuaja ndaj Facebook dhe komunitetit tonë
Ne i ofrojmë këto shërbime për ju dhe personat e tjerë për të ndihmuar në përparimin e misionit tonë. Në këmbim, kemi nevojë që të bëni angazhimet në vijim:
3.1 Kush mund ta përdorë Facebook
Kur njerëzit i mbështesin opinionet dhe veprimet e tyre, komuniteti ynë është më i sigurt dhe më i përgjegjshëm. Për këtë arsye, ju duhet:
Të jepni për llogarinë tuaj të njëjtin emër që përdorni në jetën e përditshme.
Të jepni informacione të sakta rreth vetes suaj.
Të krijoni vetëm një llogari (llogarinë tuaj) dhe ta përdorni atë për qëllime personale.
Të mos e ndani fjalëkalimin tuaj, të mos u jepni të tjerëve akses në llogarinë tuaj të Facebook apo të mos e transferoni llogarinë tuaj te dikush tjetër (pa lejen tonë).
Ne përpiqemi ta bëjmë Facebook gjerësisht të disponueshëm për këdo, por ju nuk mund ta përdorni Facebook nëse:
Jeni nën moshën 13 vjeç.
Jeni i dënuar për krime seksuale.
E kemi çaktivizuar më parë llogarinë tuaj për shkelje të Kushteve tona, Standardeve të komunitetit ose kushteve dhe politikave të tjera që zbatohen për përdorimin e Facebook nga ju. Nëse e çaktivizojmë llogarinë tuaj për shkak të një shkeljeje të Kushteve tona, Standardeve të komunitetit ose kushteve dhe politikave të tjera, ju bini dakord të mos krijoni një llogari tjetër pa lejen tonë. Marrja e lejes për krijimin e një llogarie të re jepet vetëm sipas gjykimit tonë dhe nuk do të thotë apo nënkuptojë se veprimi disiplinor ishte i gabuar ose pa shkak.
E keni të ndaluar nga ligjet në fuqi të merrni produktet, shërbimet ose softuerët tanë.
3.2 Çfarë mund të ndani dhe të bëni në Produktet e Meta
Ne dëshirojmë që njerëzit t’i përdorin Produktet e Meta për t’u shprehur dhe për të ndarë përmbajtje që janë të rëndësishme për ta, por jo në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së të tjerëve apo të integritetit të komunitetit tonë. Prandaj, ju bini dakord të mos angazhoheni në sjelljen e përshkruar më poshtë (ose të mos i ndihmoni apo mbështetni të tjerët që të veprojnë ashtu):
Ju nuk mund t’i përdorni Produktet tona për të bërë apo ndarë diçka:
Që është e paligjshme, çorientuese, diskriminuese ose mashtruese (ose të ndihmoni dikë tjetër që t’i përdorë Produktet tona në atë mënyrë).
Që nuk e keni në pronësi ose për të cilën nuk keni të drejtat e nevojshme për ta ndarë.
Që cenon ose shkel të drejtat e dikujt tjetër, duke përfshirë të drejtat e atij personi për pronësinë intelektuale (si p.sh. duke shkelur të drejtën e autorit ose markën tregtare të dikujt tjetër ose duke shpërndarë ose shitur mallra të falsifikuara ose të piratuara), përveçse nëse gjen zbatim një përjashtim ose kufizim sipas ligjit në fuqi.
Nuk mund të ngarkoni viruse ose një kod keqdashës, të përdorni shërbimet për të dërguar përmbajtje të bezdisshme ose të bëni ndonjë gjë tjetër që mund të çaktivizojë, të mbingarkojë, të ndërhyjë ose të dobësojë funksionimin, integritetin, përdorimin ose paraqitjen e duhur të shërbimeve, sistemeve ose Produkteve tona.
Nuk mund të keni akses në Produktet tona ose të mblidhni të dhëna prej tyre duke përdorur mjete të automatizuara (pa lejen tonë paraprake) apo të përpiqeni të keni akses në të dhënat në të cilat nuk keni leje të keni akses, pavarësisht nëse aksesi ose mbledhja e automatizuar ndërmerret ndërkohë që keni hyrë në një llogari të Facebook.
Nuk mund të autorizoni, të kërkoni ose të mblidhni emrat e përdoruesit ose fjalëkalimet e Produkteve ose të përvetësoni shenjat dalluese të aksesit.
Përveçse siç parashikohet në Kushtet e platformës, ju nuk mund të shitni, të licenconi ose të blini të dhëna të marra nga ne ose nga shërbimet tona, pavarësisht nëse këto të dhëna u morën ndërkohë që kishit hyrë në një llogari të Facebook.
Nuk mund të keqpërdorni asnjë kanal raportimi, paralajmërimi, kontestimi ose apelimi, si p.sh. duke bërë raportime ose apelime mashtruese, dublikative ose të pabazuara.
Nuk mund të bëni ose të përpiqeni të bëni diçka për të shmangur, anashkaluar ose shkelur cilatdo masa teknologjike që përdor Meta për të kontrolluar ose kufizuar aksesin në Produktet ose të dhënat tona.
Ne mund ta heqim apo ta kufizojmë aksesin te përmbajtja që shkel këto dispozita. Ne gjithashtu mund ta pezullojmë ose ta çaktivizojmë llogarinë tuaj për sjelljen që shkel këto dispozita, siç jepet në seksionin 4.2.
Nëse heqim një përmbajtje që keni ndarë në shkelje të Standardeve të komunitetit, do t’ju njoftojmë dhe do t’ju shpjegojmë të gjitha mundësitë që keni për të kërkuar një rishikim tjetër, përveçse nëse i shkelni në mënyrë serioze ose të përsëritur këto Kushte ose nëse ky veprim mund të na vërë ne ose të tjerët para përgjegjësisë ligjore; mund të lëndojë komunitetin tonë të përdoruesve; mund të cenojë ose të ndërhyjë në integritetin ose funksionimin e cilitdo prej shërbimeve, sistemeve ose Produkteve tona; kur jemi të kufizuar për shkak të kufizimeve teknike; ose kur na ndalohet ta bëjmë këtë për arsye ligjore. Për informacione lidhur me pezullimin ose mbylljen e llogarisë, shikoni seksionin 4.2 më poshtë.
Ne punojmë me kontrollues të pavarur faktesh në shumë juridiksione për të luftuar keqinformimin. Kur përmbajtjet janë vlerësuar nga kontrolluesit e fakteve, mund të shtojmë një njoftim për të dhënë më shumë kontekst. Mund të gjeni më shumë informacione rreth kontrollit të fakteve këtu.
Për të ndihmuar në mbështetjen e komunitetit tonë, ju inkurajojmë të raportoni përmbajtjen ose sjelljen që mendoni se shkel të drejtat tuaja (duke përfshirë të drejtat për pronësinë intelektuale) ose kushtet dhe politikat tona nëse kjo veçori ekziston në juridiksionin tuaj. Ne gjithashtu mund ta heqim apo ta kufizojmë aksesin te përmbajtja, veçoritë, shërbimet ose informacionet nëse përcaktojmë se kjo është e nevojshme në mënyrë të arsyeshme për të shmangur ose pakësuar keqpërdorimin e shërbimeve tona ose ndikimet negative ligjore ose rregullatore te Meta.
3.3 Lejet që na jepni
Ne kemi nevojë për leje të caktuara nga ju për të ofruar shërbimet tona:
1. Përmbajtja juaj: Disa përmbajtje që ndani ose ngarkoni, të tilla si fotografitë ose videot, mund të mbrohen nga ligjet për pronësinë intelektuale.
Ju keni në zotërim të drejtat për pronësinë intelektuale (gjëra të tilla si e drejta e autorit ose markat tregtare) për çdo përmbajtje të tillë që krijoni dhe ndani në Facebook dhe në Produktet e tjera të kompanisë Meta që përdorni. Asgjë në këto Kushte nuk jua heq të drejtat që keni mbi përmbajtjen tuaj. Jeni të lirë ta ndani përmbajtjen tuaj me këdo tjetër, ku të doni.
Sidoqoftë, për të ofruar shërbimet tona, ne kemi nevojë që të na jepni disa leje ligjore (që njihen si "licencë") për ta përdorur atë përmbajtje. Kjo bëhet vetëm me qëllim për të ofruar dhe përmirësuar Produktet dhe shërbimet tona siç përshkruhet në seksionin 1 më sipër.
2. Leja për të përdorur përmbajtjen që krijoni dhe ndani: Konkretisht, kur ndani, postoni ose ngarkoni një përmbajtje që mbulohet nga të drejtat për pronësinë intelektuale në Produktet tona ose lidhur me to, ju na jepni një licencë joekskluzive, të transferueshme, të nënlicencueshme, pa honorare dhe mbarëbotërore për strehimin, përdorimin, shpërndarjen, modifikimin, ekzekutimin, kopjimin, paraqitjen ose shfaqjen publike, përkthimin dhe krijimin e punëve derivate të përmbajtjes suaj (në përputhje me parametrat tuaj të privatësisë dhe aplikimit). Kjo do të thotë se nëse ndani, për shembull, një fotografi në Facebook, ju na jepni lejen ta ruajmë, ta kopjojmë dhe ta ndajmë atë me të tjerët (përsëri, në përputhje me parametrat tuaj), si p.sh. me Produktet e Meta ose me ofruesit e shërbimit që mbështesin këto produkte dhe shërbime. Kjo licencë do të mbarojë kur përmbajtja juaj të fshihet nga sistemet tona.
3. Fshirja e llogarisë suaj: Ju mund ta fshini në çdo moment një përmbajtje të veçantë që ndani, postoni dhe ngarkoni. Përveç kësaj, të gjitha përmbajtjet e postuara në llogarinë tuaj personale do të fshihen nëse fshini llogarinë tuaj. Mësoni më shumë se si ta fshini llogarinë tuaj. Fshirja e llogarisë nuk e fshin automatikisht përmbajtjen që postoni si administrator i një faqeje ose përmbajtjen që krijoni së bashku me përdorues të tjerë, si p.sh. fotografitë në albumet e ndara, të cilat mund të vazhdojnë të jenë të dukshme tek anëtarët e tjerë të albumit.
Mund të duhen deri në 90 ditë për ta fshirë përmbajtjen pasi të fillojmë procesin e fshirjes së llogarisë ose pasi të marrim një kërkesë për fshirjen e përmbajtjes. Nëse e dërgoni përmbajtjen te mbeturinat, procesi i fshirjes do të fillojë automatikisht pas 30 ditësh, përveçse nëse zgjodhët ta fshini përmbajtjen më herët. Ndërkohë që ndërmerret procesi i fshirjes së kësaj përmbajtjeje, ajo nuk është më e dukshme për përdoruesit e tjerë. Pas fshirjes së përmbajtjes, mund të na duhen deri në 90 ditë të tjera për ta hequr atë nga sistemet e kopjeve rezervë dhe të rikuperimit në rast katastrofe.
Përmbajtja nuk do të fshihet brenda 90 ditëve nga fshirja e llogarisë ose nga fillimi i procesit të fshirjes së përmbajtjes në situatat në vijim:
kur përmbajtja juaj është përdorur nga të tjerët në përputhje me këtë licencë dhe ata nuk e kanë fshirë atë (rast në të cilin kjo licencë do të vazhdojë të zbatohet derisa të fshihet ajo përmbajtje);
kur fshirja brenda 90 ditëve nuk është e mundur për shkak të kufizimeve teknike të sistemeve tona, rast në të cilin do ta përfundojmë fshirjen sapo të jetë e mundur nga ana teknike; ose
kur fshirja e menjëhershme do të kufizonte aftësinë tonë për:
hetimin ose identifikimin e aktivitetit të paligjshëm ose shkeljeve të kushteve dhe politikave tona (për shembull, për të identifikuar ose hetuar keqpërdorimin e Produkteve ose sistemeve tona);
mbrojtjen e sigurisë dhe integritetit të Produkteve, sistemeve, shërbimeve, punonjësve dhe përdoruesve tanë dhe për të mbrojtur veten tonë;
respektimin e detyrimeve ligjore për ruajtjen e provave, duke përfshirë të dhënat që ruajnë Kompanitë Meta që ofrojnë produkte dhe shërbime financiare për të respektuar të gjitha detyrimet e mbajtjes së dokumenteve të kërkuara me ligj; ose
përmbushjen e një kërkese të një autoriteti gjyqësor ose administrativ, të një autoriteti të zbatimit të ligjit ose të një agjencie qeveritare;
rast në të cilin, përmbajtja do të mbahet jo më shumë se sa është e nevojshme për qëllimet për të cilat është mbajtur (kohëzgjatja e saktë do të ndryshojë rast pas rasti).
Në secilin prej rasteve të mësipërme, kjo licencë do të vazhdojë derisa të jetë fshirë plotësisht përmbajtja.
4. Leja për të përdorur emrin tuaj, fotografinë e profilit dhe informacionet rreth veprimeve tuaja me reklamat dhe përmbajtjen e sponsorizuar ose komerciale: Ju na jepni leje që emrin dhe fotografinë tuaj të profilit dhe informacionet rreth veprimeve që keni ndërmarrë në Facebook t’i përdorim pranë ose lidhur me reklamat, ofertat dhe përmbajtjet e tjera të sponsorizuara ose komerciale që shfaqim nëpër Produktet tona, pa ju dhënë asnjë kompensim. Për shembull, ne mund t’u tregojmë shokëve tuaj se jeni i interesuar rreth një ngjarjeje të reklamuar ose keni pëlqyer një Faqe të Facebook të krijuar nga një markë që na ka paguar për të shfaqur reklamat e saj në Facebook. Reklamat dhe përmbajtjet e tilla mund të shihen vetëm nga personat që kanë lejen tuaj për të parë veprimet që keni ndërmarrë në Produktet e Meta. Mund të mësoni më shumë rreth parametrave dhe preferencave tuaja për reklamat.
5. Leja për të përditësuar softuerin që përdorni ose shkarkoni: Nëse shkarkoni ose përdorni softuerin tonë, ju na jepni leje të shkarkojmë dhe të instalojmë përditësimet për softuerin, nëse disponohen.
3.4 Kufizimet në përdorimin e pronësisë sonë intelektuale
Nëse përdorni përmbajtje që mbulohet nga të drejtat për pronësinë intelektuale që kemi dhe që e bëjmë të disponueshme në Produktet tona (për shembull, imazhet, dizajnet, videot ose tingujt që ofrojmë dhe që ju i shtoni te përmbajtja që krijoni ose ndani në Facebook), ne ruajmë të gjitha të drejtat për atë përmbajtje (por jo për përmbajtjen tuaj). Ju mund t’i përdorni të drejtat e autorit ose markat tona tregtare (ose çdo markë të ngjashme) vetëm siç lejohet shprehimisht nga Udhëzimet tona për përdorimin e markës ose me lejen tonë paraprake me shkrim. Ju duhet të merrni lejen tonë me shkrim (ose lejen sipas një licence me burim të hapur) për të modifikuar, përkthyer, krijuar punë derivate, dekompiluar ose kundërinxhinieruar produktet tona ose komponentët e tyre, ose për t’u përpjekur ndryshe të ekstraktoni kodin burimor nga ne, përveçse nëse zbatohet një përjashtim ose kufizim sipas ligjit në fuqi ose nëse sjellja juaj ka lidhje me Programin e shpërblimeve për defektet në kod të Meta. Ne rezervojmë të gjitha të drejtat që nuk ju jepen shprehimisht.
4. Dispozitat shtesë
4.1 Përditësimi i Kushteve tona
Ne punojmë vazhdimisht për të përmirësuar shërbimet tona dhe për të zhvilluar veçori të reja për t’i bërë më të mira Produktet tona për ju dhe për komunitetin tonë. Si rezultat, mund të nevojitet që t’i përditësojmë herë pas here këto Kushte për të pasqyruar me saktësi shërbimet dhe praktikat tona, për të promovuar një eksperiencë të mbrojtur dhe të sigurt në Produktet dhe shërbimet tona dhe/ose për të respektuar ligjin në fuqi. Ne do të bëjmë ndryshime vetëm nëse dispozitat nuk janë më të përshtatshme ose nëse janë të paplota dhe vetëm nëse ndryshimet janë të arsyeshme dhe marrin parasysh siç duhet interesat tuaja ose nëse ndryshimet nevojiten për qëllime mbrojtjeje dhe sigurie ose për të respektuar ligjin në fuqi.
Ne do t’ju njoftojmë (për shembull, me email ose nëpërmjet Produkteve tona) të paktën 30 ditë përpara se të bëjmë ndryshime në këto Kushte dhe do t’ju japim mundësi t’i rishikoni para se të hyjnë në fuqi, përveçse nëse ndryshimet kërkohen me ligj. Sapo Kushtet e përditësuara të hyjnë në fuqi, ato do të jenë të detyrueshme për ju nëse vazhdoni të keni akses në produktet tona ose t’i përdorni ato.
Shpresojmë që të vazhdoni të përdorni Produktet tona, por nëse nuk bini dakord me Kushtet tona të përditësuara ose dëshironi të zgjidhni marrëveshjen tuaj për këtë kontratë, mund ta fshini llogarinë tuaj në çdo moment dhe duhet gjithashtu të ndaloni aksesin në Facebook dhe Produktet e tjera të Meta ose përdorimin e tyre.
4.2 Pezullimi ose mbyllja e llogarisë
Ne dëshirojmë që Facebook të jetë një vend ku njerëzit të ndihen të mirëpritur dhe të sigurt për t’u shprehur dhe për të ndarë mendimet dhe idetë e tyre.
Nëse përcaktojmë se, sipas gjykimit tonë, keni shkelur qartësisht, seriozisht ose në mënyrë të përsëritur Kushtet ose Politikat tona, duke përfshirë në veçanti Standardet e komunitetit, mund ta pezullojmë ose ta çaktivizojmë përgjithmonë aksesin tuaj në Produktet e kompanisë Meta dhe mund ta çaktivizojmë ose ta fshijmë përgjithmonë llogarinë tuaj. Ne mund ta çaktivizojmë ose ta fshijmë llogarinë tuaj edhe nëse ju shkelni në mënyrë të përsëritur të drejtat për pronësinë intelektuale të personave të tjerë ose kur na kërkohet ta bëjmë një gjë të tillë për arsye ligjore.
Ne mund ta çaktivizojmë ose ta fshijmë llogarinë tuaj nëse, pas regjistrimit, llogaria juaj nuk konfirmohet, llogaria juaj është e papërdorur dhe mbetet joaktive për një periudhë të gjatë kohe ose nëse zbulojmë se dikush mund ta ketë përdorur pa lejen tuaj dhe ne nuk mund të konfirmojmë se llogaria është në pronësinë tuaj. Mësoni më shumë se si i çaktivizojmë dhe i fshijmë llogaritë.
Kur të marrim një masë të tillë, ne do t’ju njoftojmë dhe do t’ju shpjegojmë të gjitha mundësitë që keni për të kërkuar një rishikim, përveçse nëse ky veprim mund të na vërë ne ose të tjerët para përgjegjësisë ligjore; mund të lëndojë komunitetin tonë të përdoruesve; mund të cenojë ose të ndërhyjë në integritetin ose funksionimin e cilitdo prej shërbimeve, sistemeve ose Produkteve tona; kur jemi të kufizuar për shkak të kufizimeve teknike; ose kur na ndalohet ta bëjmë këtë për arsye ligjore.
Mund të mësoni më shumë rreth gjërave që mund të bëni nëse llogaria juaj është çaktivizuar dhe se si të na kontaktoni nëse mendoni se e kemi çaktivizuar gabimisht llogarinë tuaj.
Nëse ju e fshini ose ne e çaktivizojmë ose e fshijmë llogarinë tuaj dhe ju ndaloni aksesin, përdorimin ose vizitat në Facebook dhe Produktet e tjera të Meta, ose nëse kjo kontratë zgjidhet ndryshe, atëherë këto Kushte nuk do të përbëjnë më një marrëveshje midis jush dhe nesh, me përjashtim të dispozitave në vijim, të cilat do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi. (3, 4.2-4.5).
4.3 Kufizimet për përgjegjësinë
Ne punojmë fort për të ofruar Produktet më të mira që mundemi dhe për të specifikuar udhëzime të qarta për këdo që i përdor ato. Megjithatë, Produktet tona ofrohen "siç janë" dhe, për aq sa lejohet nga ligji, ne nuk japim garanci që ato do të jenë gjithmonë të sigurta, të mbrojtura ose pa gabime apo që do të funksionojnë pa ndërprerje, vonesa ose papërsosuri. Për aq sa lejohet nga ligji, ne gjithashtu NUK PRANOJMË ASNJË NGA GARANCITË, QOFSHIN KËTO TË SHPREHURA OSE TË NËNKUPTUARA, PËRFSHI GARANCITË E NËNKUPTUARA TË TREGTUESHMËRISË, PËRSHTATSHMËRISË PËR NJË QËLLIM TË VEÇANTË, TITULLIT DHE MOSSHKELJES. Ne nuk kontrollojmë ose nuk urdhërojmë se çfarë bëjnë apo thonë njerëzit dhe të tjerët dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi për veprimet ose sjelljen e tyre (qoftë në linjë, apo jashtë linje) ose për përmbajtjet që ndajnë (përfshi, përmbajtjen ofenduese, të papërshtatshme, të pahijshme, të paligjshme dhe përmbajtje të tjera të pakëndshme).
Ne nuk mund të parashikojmë se kur mund të lindin probleme me Produktet tona. Prandaj, përgjegjësia jonë do të kufizohet në masën maksimale të lejuar nga ligji në fuqi. Në masën maksimale të lejuar nga ligji në fuqi, ne nuk do të jemi në asnjë rrethanë përgjegjës ndaj jush për humbjen e fitimeve, të ardhurave, informacioneve ose të dhënave ose për dëmet rrjedhimore, të veçanta, të tërthorta, shembullore, ndëshkuese ose të rastësishme që rrjedhin ose që kanë lidhje me këto Kushte ose me Produktet e Meta (sido që të jenë shkaktuar dhe mbi bazën e çdo teorie përgjegjësie, duke përfshirë neglizhencën), edhe nëse na kanë këshilluar për mundësinë e dëmeve të tilla.
4.4 Kontestimet
Ne përpiqemi të japim rregulla të qarta, në mënyrë që të mund të kufizojmë ose me shpresë që të shmangim kontestimet midis jush dhe nesh. Megjithatë, nëse lind një kontestim, është e dobishme që ta dini paraprakisht se ku mund të zgjidhet dhe se cilat ligje do të zbatohen.
Nëse jeni konsumator ose kur kërkohet nga ligji në fuqi, për çdo pretendim, motiv padie ose kontestim që keni ndaj nesh dhe që rrjedh ose ka lidhje me këto Kushte ose me Produktet e Meta, do të zbatohen ligjet e shtetit në të cilin banoni dhe ju mund ta zgjidhni pretendimin tuaj në cilëndo gjykatë kompetente të atij shteti, e cila ka juridiksion mbi atë pretendim. Në të gjitha rastet e tjera dhe për çdo pretendim, motiv padie ose kontestim që paraqet Meta kundër jush, ju dhe Meta bini dakord se çdo pretendim i tillë, motiv padie ose kontestim duhet zgjidhur ekskluzivisht në Gjykatën e shkallës së parë të SHBA-së për Rajonin Verior të Kalifornisë ose në një gjykatë shtetërore të vendosur në kontenë e San Mateos. Ju bini gjithashtu dakord që të jeni objekt i juridiksionit personal të cilësdo prej këtyre gjykatave me qëllim zgjidhjen me gjyq të çdo pretendimi të tillë dhe se do të jenë ligjet e Shtetit të Kalifornisë që do të zbatohen lidhur me këto Kushte dhe me çdo pretendim, motiv padie ose kontestim, pa marrë parasysh konfliktin e dispozitave ligjore. Pa cenuar sa më sipër, ju bini dakord se Meta, sipas gjykimit të saj të vetëm, mund të paraqesë çdo pretendim, motiv padie ose kontestim që kemi ndaj jush në cilëndo gjykatë kompetente të shtetit në të cilin banoni, e cila ka juridiksion mbi pretendimin.
4.5 Të ndryshme
Kushtet plotësuese: Disa prej Produkteve që ofrojmë kontrollohen edhe nga kushte plotësuese. Nëse përdorni ndonjë prej atyre Produkteve, kushtet plotësuese do të bëhen të disponueshme dhe do të jenë pjesë e marrëveshjes sonë me ju. Për shembull, nëse keni akses në Produktet tona ose i përdorni ato për qëllime tregtie ose biznesi, të tilla si blerja e reklamave, shitja e produkteve, zhvillimi i aplikacioneve, menaxhimi i një grupi ose Faqeje për biznesin tuaj, ose përdorimi i shërbimeve tona të matjes, ju duhet të jeni dakord me Kushtet tona për tregtinë. Nëse postoni ose ndani përmbajtje që përmban muzikë, duhet të respektoni Udhëzimet tona për muzikën. Nëse përdorni Avatarët, atëherë do të zbatohen edhe Kushtet e avatarëve. Nëse përdorni produktet dhe veçoritë tona të IA-së, zbatohen edhe Kushtet e Meta AI. Për sa kohë që kushtet plotësuese bien në kundërshtim me këto Kushte, kushtet plotësuese do të prevalojnë dhe do të zbatohen deri në masën e konfliktit.
Veçueshmëria: Nëse ndonjë pjesë e këtyre Kushteve konstatohet se është e pazbatueshme, pjesa e pazbatueshme do të konsiderohet si e ndryshuar në masën minimale të nevojshme për ta bërë të zbatueshme dhe, nëse nuk mund të bëhet e zbatueshme, atëherë ajo do të hiqet dhe pjesa e mbetur do të mbetet në fuqi dhe plotësisht efektive. Nëse ne nuk arrijmë të zbatojmë ndonjë prej këtyre Kushteve, kjo nuk do të konsiderohet si dorëheqje. Çdo ndryshim ose heqje dorë nga këto Kushte duhet të bëhet me shkrim dhe të nënshkruhet nga ana jonë.
Asnjë transferim: Ju nuk do të transferoni asnjë nga të drejtat ose detyrimet tuaja në zbatim të këtyre Kushteve te dikush tjetër pa miratimin tonë.
Kontakti i trashëgimisë: Ju mund të caktoni një person (të quajtur kontakt trashëgimie) që të menaxhojë llogarinë tuaj nëse kthehet në përkujtimore. Nëse e aktivizoni atë te parametrat tuaj, vetëm kontakti juaj i trashëgimisë ose një person që e keni identifikuar në një testament të vlefshëm ose në një dokument të ngjashëm ligjor, ku shprehni qartësisht pëlqimin për t’ia zbuluar përmbajtjen tuaj atij personi pas vdekjes ose paaftësisë, do të mund të kërkojë zbulimin e kufizuar të informacioneve nga llogaria juaj pasi të kthehet në përkujtimore.
Kushtet për përjashtimin e palëve të treta përfituese: Këto Kushte nuk i japin të drejta asnjë pale të tretë përfituese. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet tona në zbatim të këtyre Kushteve janë lirisht të transferueshme nga ana jonë në lidhje me një shkrirje, blerje ose shitje aktivësh, ose me anë të një veprimi ligjor ose veprimi të një lloji tjetër.
Ndryshimi i emrit të përdoruesit: Ne mund ta ndryshojmë emrin e përdoruesit për llogarinë tuaj në rrethana të caktuara (për shembull, nëse dikush tjetër e kërkon emrin e përdoruesit dhe ai duket se nuk ka lidhje me emrin që përdorni në jetën e përditshme).
Reagimet: Ne e vlerësojmë gjithmonë reagimin tuaj dhe sugjerimet e tjera rreth produkteve dhe shërbimeve tona. Por ne mund t’i përdorim reagimet dhe sugjerimet e tjera pa kufizime ose detyrime për kompensimin tuaj dhe nuk kemi asnjë detyrim për t’i mbajtur konfidenciale.
5. Kushtet dhe politikat e tjera që mund të vlejnë për ju
Standardet e komunitetit: Këto udhëzime përmbledhin standardet tona në lidhje me përmbajtjen që postoni në Facebook dhe aktivitetin tuaj në Facebook dhe në Produktet e tjera të Meta.
Kushtet për tregtinë: Këto kushte gjejnë zbatim nëse keni gjithashtu akses në Produktet tona ose i përdorni ato për qëllime tregtie ose biznesi, përfshi reklamimin, përdorimin e një aplikacioni në Platformën tonë, përdorimin e shërbimeve tona të matjes, menaxhimin e një grupi ose të një Faqeje për një biznes ose shitjen e mallrave ose shërbimeve.
Politikat e tregtisë: Këto udhëzime përmbledhin politikat që zbatohen kur ofroni produkte ose shërbime për shitje në Facebook, Instagram dhe WhatsApp.
Udhëzimet për muzikën: Këto udhëzime përmbledhin politikat që zbatohen nëse postoni ose ndani përmbajtje që përmban muzikë në cilatdo Produkte të Meta.
Politikat për reklamimin: Këto politika zbatohen për partnerët që reklamojnë nëpër Produktet e Meta dhe specifikojnë se çfarë lloj përmbajtjesh për reklama lejohen nga partnerët që reklamojnë nëpër Produktet e Meta.
Kushtet për reklamimin nëpërmjet vetëshërbimit: Këto kushte gjejnë zbatim kur përdorni ndërfaqet e reklamimit nëpërmjet vetëshërbimit për të krijuar, dërguar ose shpërndarë aktivitetin ose përmbajtjen reklamuese ose aktivitete ose përmbajtje të tjera tregtare ose të sponsorizuara.
Politika për Faqet, grupet dhe ngjarjet e Facebook: Këto udhëzime gjejnë zbatim nëse krijoni ose administroni një Faqe, grup ose ngjarje të Facebook, ose nëse e përdorni Facebook për të komunikuar apo administruar një promocion.
Politika e platformës së Meta: Këto kushte vlejnë për përdorimin e paketës së API-ve, SDK-ve, mjeteve, përbërësve shtesë, kodeve, teknologjisë, përmbajtjes dhe shërbimeve që u japin mundësi të tjerëve të zhvillojnë funksionalitetin, të rinxjerrin të dhëna nga Produktet e Meta ose të na japin të dhëna.
Politikat për Live: Këto politika vlejnë për të gjitha transmetimet e përmbajtjeve në Facebook Live.
Kushtet e avatarit: Këto kushte zbatohen për përdorimin e avatarëve tanë dhe veçorive tona për avatarët, duke përfshirë blerjet dhe marrjet e veshjeve të avatarëve në dyqanin e avatarëve.
Kushtet e Meta AI: Këto kushte kontrollojnë përdorimin e produkteve dhe veçorive tona të IA-së gjeneruese.